
Krijohet platforma informuese për tatimpaguesit
October 16, 2017
Rriten eksportet, dominon grupi “tekstile dhe këpucë”, pasohet nga materialet e ndërtimit dhe metalet
October 17, 2017Rezultatet e “Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues” për tremujorin e tretë të vitit 2017 tregojnë se standardet e kredisë janë shtrënguar për bizneset ndërsa janë lehtësuar për individët. Sipas madhësisë së biznesit vihet re se standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë mbetur të lehtësuara njësoj si një tremujor më parë, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha standardet janë shtrënguar. Për individët, standardet e kredisë rezultuan të lehtësuara, si në segmentin e kredisë për blerje banesa, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Faktori kryesor që ndikoi në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve është konkurrenca në tregun bankar. Në kahun shtrëngues kanë ndikuar kryesisht huatë me probleme, situata e perceptuar makroekonomike, si edhe problemet specifike të sektorit. Përsa i përket individëve, faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve rezultuan mjaftueshmëria e kapitalit, niveli i likuiditetit, si edhe konkurrenca në sistemin bankar. Në kahun shtrëngues për këtë segment kanë ndikuar gjendja financiare e individëve, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe huatë me probleme.
Shtrëngimi i kushteve të kredisë të bizneseve u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të madhësisë së kredisë dhe rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i tyre u shpreh nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar. Bankat shprehen se lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet zbutjes së kërkesave për kolateral, ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë dhe rritjes së raportit të këstit ndaj të ardhurave.
Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2017 u raportua e rritur si për bizneset, ashtu edhe për individët në të gjitha segmentet.
Bankat presin lehtësim të standardeve të kreditimit për bizneset, ndërsa standardet e kredisë për individët priten të mbeten të pandryshuara në tremujorin e katërt 2017. Kërkesa për kredi parashikohet në rritje si për bizneset, ashtu edhe për individët.
Raportin e plotë të Bankës së Shqipërisë mund ta gjeni këtu.