Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën thirrje të gjithë subjekteve (individë apo subjekte tregtare) se duhet të llogarisin, deklarojnë dhe paguajnë Tatimin në Burim për të gjitha të ardhurat e realizuara me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, të cilat janë objekt i tatimit, sipas legjislacionit tatimor, duke përmbushur kështu detyrimin që ju lind atyre për të bërë pagesa për të ardhurat e realizuara.
Në zbatim të ligjit nr.8438 datë 28.121998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” nenet 8, 9, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%.
Sipas pikës 2.6.4, të Udhëzimit të Ministrit të Financave, për të ardhura të paguara nga persona, të cilët nuk mund të bëjnë mbajtjen e tatimit në burim për llogari të organeve tatimore shqiptare, individi përfitues i të ardhurave është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor përkatës tatimin në masën 15% të të ardhurave të realizuara, jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.
Deklarimi dhe pagesa mund të kryhen online, përmes faqes zyrtare, por më parë është e nevojshme që individi përfitues të paraqitet pranë zyrës se Shërbimit të Tatimpaguesve, pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, për t’u regjistruar për përgjegjësinë tatimore të Tatimit në Burim, si dhe për t’u pajisur me fjalëkalimin për hyrjen në llogarinë e tij, në sistemin e deklarimit elektronik.
Individi, përfitues i të ardhurave, duhet të dorëzojë brenda dates 20 të çdo muaji deklaratën e Tatimit në Burim, që përmban informacionin e nevojshëm mujor për të llogaritur detyrimin tatimor.
Deklarimi kryhet vetëm elektonikisht dhe për këtë duhet të ndqini hapat e mëposhtëm:
Individi përfitues i të ardhurave, plotëson rubrikën 15 “Pagesat për qiratë” të deklaratës së tatimit të mbajtur në burim, duke hedhur shumën mujore të përfituar nga qiratë dhe tatimin e llogaritur në masën 15%.
Duke klikuar butonin “Dorëzo”, deklarimi përfundon dhe dorëzohet në Administratën Tatimore.
Pas dorëzimit, deklarata mund të printohet për efekt dokumenti, duke klikuar butonin “Printo”.
Për kryerjen e pagesës, individi, përfitues i të ardhurave, në menynë “Deklarata të dorëzuara”, zgjedh periudhën përkatëse dhe shtyp butonin “Printo Urdhër Pagesë”. Ky urdhër i printuar shërben për të kryer pagesën në sportelet e bankave të nicvelit të dytë.