Më datat 26- 27-28 Shtator 2018, Ambasada e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë dhe Komunën e Gjilanit, do të organizojnë Panairin Rajonal të quajtur “Panairi i Gjilanit”, Gjilan, Kosovë.
Në këtë panair janë ftuar të marrin pjesë rreth 120 biznese të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Luginës së Preshevës etj.
Panairi i Gjilanit ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet ndërmarrësve nga rajoni i gjerë si dhe inkurajon konkurrueshmërinë e NVM-ve të cilat konsiderohen si shtysë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Gjithashtu ky panair, ofron mundësinë për të promovuar secilin biznes, pasi do të ketë një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë këtu sektorin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore, hortikulturës, apikulturës, frutave të malit dhe bimëve mjekuese dhe artizanateve etj.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës do të kenë mundësi për të për të ekspozuar produktet dhe shërbimet e tyre vendore në këtë panair i cili ka karakter komercial dhe mbarëkombëtar.
Ky panair, i pari në llojin e vet, do të ketë dhe një hapësirë për grupe artistike dhe sportive, në mënyrë që të bëhet sa më tërheqës, jo vetëm për qytetarët e Gjilanit por për të gjithë qytetarët që e vizitojnë atë.