
Liberalizimi i Mëtejshëm i Tregut Shqiptar të Energjisë Elektrike
May 3, 2017
Tatimet lajmërojnë: “Kujtesë për lëshimin e kuponave tatimorë nga pajisjet fiskale”
May 5, 2017Në mbledhjen e datës 3 maj 2017 të Këshillit të Ministrave, u mor vendim për “PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE TË PUBLIKIMIT NË QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT”. Ky vendim do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
KËRKESA TË PËRGJITHSHME TË APLIKIMIT
Aplikimi për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) bëhet:
– Pranë sportelit qendror të QKB-së;
– Pranë sporteleve të shërbimit në territor;
– Pranë sportelit elektronik.
Aplikimi për regjistrim pranë QKB-së bëhet nga personat e autorizuar. Aplikantët deklarojnë, nëpërmjet plotësimit të aplikimit, të gjitha të dhënat sipas fushave të detyrueshme të formularëve të miratuar në përputhje me ligjin e regjistrimit të biznesit për kryerjen e regjistrimit të kërkuar dhe paraqesin dokumentacionin shoqërues përkatës.
Aplikantët, që aplikojnë për kryerjen e regjistrimit fillestar në regjistrin tregtar, sipas ligjit të regjistrimit të biznesit, deklarojnë edhe të dhënat e detyrueshme, në përputhje me dispozitat që rregullojnë fushën tatimore, statistikore, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore e të inspektoratit të punës. Këto deklarime kryhen sipas kërkesave të përcaktuara në formularët e aplikimit në përputhje me formatin e miratuar. Çdo individ, pasi të jetë identifikuar elektronikisht, ka të drejtë të kryejë aplikime nëpërmjet sportelit elektronik, në përputhje me parashikimet e ligjit të regjistrimit të biznesit.
PROCEDURAT E APLIKIMIT PRANË SPORTELIT QENDROR
Personi, që kërkon të kryejë një aplikim, përpara paraqitjes në sportel paguan tarifën përkatëse sipas llojit të regjistrimit të kërkuar. Me paraqitjen në sportel, personi vërteton identitetin e tij/saj me një dokument të vlefshëm identifikimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nëpunësi i sportelit i kërkon personit të paraqitur në sportel të dhënat e nevojshme për plotësimin e formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme të tij. Nëpunësi i sportelit hedh në formularin elektronik të sistemit të informatizuar të QKB-së të dhënat e deklaruara nga personi i paraqitur në sportel. Nëpunësi i sportelit, në vijim, i kërkon personit të paraqitur në sportel dorëzimin e dokumentacionit shoqërues me anë të të cilit personi provon të dhënat që regjistrohen. Këto dokumente dorëzohen në format shkresor dhe konfirmohen nga personi i paraqitur në sportel, në prani të nëpunësit të sportelit, duke i nënshkruar në çdo faqe dhe duke vendosur shënimin “aplikanti”, emrin, mbiemrin dhe nënshkrimin. Nëpunësi i sportelit, në çdo rast, vazhdon procesin e plotësimit të formularit, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme sipas formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet, edhe kur të dhënat që duhet të deklarohen në një apo më shumë rubrika janë të pasakta apo nuk vërtetohen nga dokumentet shoqëruese të dorëzuara nga personi i paraqitur në sportel.
Pas hedhjes të të dhënave, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme të formularit të miratuar për llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet dhe pas plotësimit në formular të listës së dokumenteve shoqëruese, nëpunësi i sportelit i kërkon personit të paraqitur në sportel të konfirmojë nëse të dhënat e hedhura në formular si dhe lista e dokumenteve shoqëruese janë të sakta ose jo. Konfirmimi i kryerjes së aplikimit lëshohet edhe nëse nëpunësi i sportelit vëren mangësi në aplikim apo në dokumentet shoqëruese. Konfirmimi i kryerjes së aplikimit përmban edhe numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së në momentin e hapjes së dosjes elektronike (numri i çështjes CN), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit.
PROCEDURAT E APLIKIMIT PRANË SPORTELIT ELEKTRONIK
Personi, që kërkon të kryejë një aplikim nëpërmjet sportelit elektronik të QKB-së, në cilësinë e aplikantit apo të personit të autorizuar, duhet të identifikohet elektronikisht nëpërmjet autentifikimit nga portali unik i shërbimeve qeveritare e-Albania. Personi akseson sportelin elektronik të QKB-së dhe zgjedh llojin e regjistrimit që kërkohet të kryhet. Pas përzgjedhjes së llojit të regjistrimit, sistemi i informatizuar i QKB-së shfaq formularin përkatës të aplikimit, sipas formatit të miratuar. Personi i autentifikuar plotëson elektronikisht formularin, të paktën në të gjitha rubrikat e detyrueshme, sipas llojit të regjistrimit që kërkohet të kryhet. Për çdo dokument të ngarkuar në dosjen elektronike nga personi i autentifikuar, sistemi i informatizuar i QKB-së vendos një kod identifikimi elektronik të sigurt që lidh dokumentin me të dhënat e autentifikimit të personit.
Pas konfirmimit elektronik të aplikimit, sistemi i informatizuar i QKB-së jep konfirmimin automatik të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik, i cili përmban numrin e dhënë automatikisht nga sistemi i informatizuar i QKB-së (numrin e çështjes CN), i cili i mundëson aplikantit të ndjekë në çdo kohë gjendjen e procesit të regjistrimit. Sistemi i informatizuar i QKB-së njofton gjithashtu personin e autentifikuar, në postën elektronike të deklaruar pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania, duke i dërguar kopje elektronike të formularit të aplikimit, të plotësuar, dhe të konfirmimit të kryerjes së aplikimit nga sporteli elektronik.
Për informacion të plotë mbi vendimin, ju lutemi vizitoni adresën: http://www.kryeministria.al