Banka Europiane e Investimeve ka publikuar së fundmi një raport të titulluar “Era e ndryshimit, investimet në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore”. Në këtë raport analizohen 17 vende të Europës, mes të cilave edhe Shqipëria.
Raporti ka për synim të analizojë gjendjen e investimeve, para dhe pas krizës financiare globale të vitit 2008. Një ndër treguesit më të saktë që shpjegon situatën e investimeve, është ai që tregon sesa përqind e vlerës së re të shtuar në ekonomi, shkon për investime, dhe jo për konsum. Shqipëria rezulton të ketë normën më të lartë në rajon për këtë tregues, në 10%.
Pra sipas këtij raporti, 10% e asaj që ka shtuar ekonomia shqiptare çdo vit që prej vitit 2008, ka shkuar për investime të tjera. Ky tregues është renditur ndër më pozitivët krahasuar me vendet e tjera të marra në analize, por problem i madh mbetet diferenca me periudhën përpara krizës financiare të 2008. Sipas raportit kjo diferencë shkon në 8% më pak, dhe kjo është norma më e lartë mes vendeve të marra në analizë.
Sa i përket investimeve në tërësi në raport me PBB, niveli referencë është ai i 25% në periudha afat-gjatë, dhe Banka Europiane e Investimeve saktëson se, vetëm Shqipëria e ka tejkaluar këtë normë.
Në raport thuhet gjithashtu se, Shqipëria është lider në Ballkanin perëndimor për densitetin e rrugëve interurbane. Për secilën prej vendeve të marra në analizë, Banka Europiane e Investimeve nënvizon edhe fushën ku këto vende duhet të fokusojnë investimet e tyre, për shkak të potencialit që ofrojnë. Për Shqipërinë theksi vihet te energjia e rinovueshme.
Më pas, këshillohen investime më të shtuara në porte dhe hekurudha e në fund, po jo më pak e rëndësishme, këshillohen investimet në fushën e edukimit, që janë thelbësore në rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e një vendi. Në këtë drejtim, duhet të rritet vëmendja e autoriteteve, thotë raporti.