
Panairi ndërkombëtar i mallrave të konsumit 9-12 qershor 2018, Ningbo, Kinë
April 30, 2018
“Startup – Inovacioni – E ardhmja”
May 2, 2018Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), bën publike fondet në dispozicion të biznesit për vitin 2018 nga buxheti i shtetit: Fondin Shqiptar të Konkurrueshmërisë, Fondin e Ekonomisë Kreative (Artizanatit), Fondin në mbështetje të Sipërmarrjeve të reja ”Start Up” dhe Fondin e Inovacionit.
Këto fonde i dedikohen ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të sektorit prodhues dhe të shërbimit; si industria e lehtë, turizmi, kërkimi dhe zhvillimi, inovacionit dhe teknologjisë, agropërpunimit, dizenjimit, artizanatit etj.
- Fondi i Konkurrueshmërisë (totali vjetor 28 milion lekë)
Ky fond ka për qëllim mbështetjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të NVM-ve shqiptare në mënyrë që ato të jenë të përgatitura për t’iu përgjigjur zhvillimeve dhe kërkesave të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kushte dhe informacione
Ky fond mbështet ndërmarrjet e vogla ose të mesme me fokus prodhimin dhe eksportin, të cilat janë të regjistruara në QKB prej 2 ose më shumë vitesh.
Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit: 70% grant dhe 30% vetëfinancim nga ndërmarrja.
Vlera maksimale përfituese për çdo projekt të aplikuar është jo më e shumë se 1’400’000 lekë.
Fondi mbulon projektet për qëllimet e mëposhtme:
- çertifikim produkti;
- ambalazhim dhe etiketim të produkteve;
- pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare;
- krijim faqesh interneti;
- koncept edhe dizenjim të materialeve promovuese.
- Fondi i Ekonomisë Kreative (totali vjetor 10 milion lekë )
Fondi ka për qëllim zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në Shqipëri, për të krijuar mjedisin e favorshëm për rritjen e qendrueshmërisë ekonomike të aktivitetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kushte dhe informacione
Fondi i Ekonomisë Kreative i shërben Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e artizanatit, të cilat janë të regjistruara në QKB prej 1 ose më shumë vitesh.
Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit: 80% në formë granti dhe 20% vetëfinancim nga ndërmarrja.
Vlera maksimale përfituese për çdo projekt të aplikuar është jo më e shumë se 500.000 lekë.
Fondi mbulon projektet e përzgjedhura nga sektori i artizanatit specifikisht për qëllimet e mëposhtme:
- zhvillimin e produkteve të reja;
- blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit;
- marketingun e produktit;
- kualifikimin e ndërtimin e kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes.
- Fondi Start-Up (totali vjetor 10 milion lekë)
Mbështet bizneset e sapo krijuara “Start-Up” në Shqipëri për krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kushte dhe informacione
Mund të aplikojnë, subjektet që janë të regjistruara në QKB, nga 0-2 vjet.
Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit: 70% në formë granti dhe 30% vetëfinancim nga ndërmarrja.
Vlera maksimale përfituese për çdo projekt është jo më e shumë se 500.000 lekë.
Fondi mbulon projektet për qëllimet e mëposhtme:
- Investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit;
- Promovim, publikim dhe hartim materialesh promovues;
- Përshtatje produkti – duke përfshirë ambalazhim dhe etiketim;
- Kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse;
- Krijim faqesh në internet dhe zhvillim të tregtisë elektronike;
- Pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.
- Fondi i Inovacionit (totali vjetor 15 milion lekë)
Ky fond ka për qëllim nxitjen e NMVM-ve në auditimin e nevojave të tyre për inovacion dhe teknologji dhe më tej në identifikimin e furnizuesve të teknologjisë dhe partnerëve në shtete të tjera.
Kushte dhe informacione
Mund te aplikojnë, subjekte që janë të regjistruara në QKB prej 1 ose më shumë vitesh.
Vlera e mbulimit të projektit ndahet sipas raportit 50% grant dhe 50% vetëfinancim nga ndërmarrja.
Vlera maksimale përfituese për çdo projekt të aplikuar është jo më e shumë se 400.000 lekë.
Bëjnë përjashtim vetëm subjektet që do të aplikojnë për zërin makineri-paisje, ku vlera maksimale që do përfitojnë është 600.000 lekë.
Fondi mbulon projektet për qëllimet e mëposhtme:
- Auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik që synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikuese vlerësimin për nivelin ekzistues të teknologjisë dhe mundësitë për rinovimin e tyre të inovacionit dhe/ose pozicionimit teknologjik, sipas një strukture konkurruese zhvillimi;
- Ndërkombëtarizimin e teknologjisë, e cila synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikuese të Identifikojnë dhe të inspektojnë teknologjinë që kërkojnë të përshtatin;
- Pjesëmarrje në panaire inovacioni /teknologjie/ RDI dhe të ngjashme;
- Promovim në lidhje me inovacione të ndërmarrjes; Kostot e licencave (software ose hardware) ose patentave;
Për më shumë informacione http://aida.gov.al/home