Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, si një nga anëtarët themelues të “Innovation Hub”, mori pjesë në takimin që u zhvillua gjatë ditës së sotme, datë 2 maj 2018, me temë “Startup – Inovacioni – E ardhmja”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, drejtuar nga znj. Mirlinda Karçanaj.
Në takimin joformal, ku u njoftua që brenda fundit të qershorit “Innovation Hub” do të vijë me një funksion dhe ambient krejt të ri, u fol kryesisht për nevojat e startup-eve në Shqipëri, hartimin e një plani efikas për veprimtarinë dhe përdorueshmërinë e qendrës, angazhimin e industrive prodhuese për të mbështetur start up-et dhe inovacionin, por edhe për nismat ligjore që janë duke u hartuar për t’i bërë startup-et shqiptare më të sigurta dhe më të qëndrueshme brenda dhe jashtë vendit.
Në aktivitet ishin të ftuar, z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, znj. Vilma Tomço nga Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, drejtuesja e “Innovation Hub”, znj. Ada Ilia, përfaqësues të kompanive të suksesshme, si “Microsoft”, përfaqësues të startup-eve të konsoliduara në treg dhe të atyre që pritet të kenë impakt në të ardhmen.
Z. Shkodra bëri më dije se tashmë ka nisur hartimi i legjislacionit përkatës, duke përmendur se në shumë aspekte ekipet hartuese të nismës ligjore i janë referuar vendeve më të zhvilluara europiane. Ai prezantoi një pjesë të shkurtër të punës së bërë deri tani, ndërsa ftoi të pranishmit që të jepnin kontributin e tyre duke sugjeruar konkretisht propozime, për të cilat shprehu mbështetjen se do të shihen me përparësi për të qenë pjesë e pikave në projektligjin specifik.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit hodhën ide dhe propozime për misionin e ri që duhet të ketë “Innovation Hub”, për funksiomin efikas koherent të tij, për mbështetje të vazhdueshme nga ana e institucioneve shtetërore etj.