Startup Live Tirana startoi për të shtatin vit rradhazi edicionin e rradhës pranë ambjenteve të Fondacionit Ivanaj, ku pjesë e anëtarëve të jurisë ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra.
Për një fundjavë të plotë, më shumë se 60 të rinj nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, patën mundësi të prezantojnë dhe zhvillojnë idetë e tyre të biznesit.Aktivitetit nisi ditën e premte në datë 18 maj me prezantimin e moderatorit dhe përfaqësuesit të Startup Live Europe, Georg Kuttner i cili bëri një shpjegim të shkurtër për pjesëmarrësit dhe të ftuarit në lidhje me konceptin e Startup Live, si krijohet një ide biznesi dhe çfarë duhet bërë për ta kthyer atë në një ide të qëndrueshme.
Pjesëmarrësit u njohën me një nga rregullat më të famshme të eventeve në formatin Startup: prezantimi i idesë në një kohë mjaft të shkurtër prej 90 sekondash. Më pas, pjesëmarrësit u njohën me idetë e ndryshme dhe krijuan grupet e tyre duke u ndarë sipas preferencave. Idetë u paraqitën vizualisht në mënyrë që çdo pjesëmarrës të kishte mundësinë të konsultohej dhe të bënte një vlerësim. Shumë grupe ishin të krijuara përpara nisjes së eventit, por kishte edhe nga ata të cilët ishin në kërkim të anëtarëve të rinj. Pas njohjes me idetë e prezantuara, një tjetër sfidë ishte edhe e ashtuquajtura Mashmalloë Challenge e cila vendos në lëvizje shpirtin e grupit dhe punën në skuadër ku shfaqen tipare të ndryshme të karakterit të gjithsecilit në nxitjen dhe vullnetin për ta çuar lojën deri në fund.
Dita e dytë i përket më së shumti fazës së mentorimit, por para kësaj pjesëmarrësit ndoqën një fjalim inspirues nga moderatori i cili prezantoi ata me mënyrën se si duhet të zhvillohet një startup, cili është qëllimi kryesor dhe ku duhet të fokusohet më shumë një grup gjatë ndërtimit të startupit. Thelbi i prezantimit ishte si të gjendet një ide e cila nuk është thjesht një ide e bukur dhe inovative, por edhe zgjidh një problem konkret. Grupet u njohën me disa nga metodat që përdoren në vende të ndryshme të Evropës për ndërtimin e një plani biznesi ku duke u bazuar në këto modele ata ndërtuan dhe hodhën në letër hapat e parë të krijimit të startupeve të tyre.
Në ditën e tretë të këtij aktiviteti, fokus u vendos në prezantimin e idesë dhe se sa e rëndësishme është mënyra se si komunikohet kjo ide, çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të thuhet gjatë prezantimit dhe çfarë ka nevojë audienca të dëgjojë. Prezantimi duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe tërheqës duke dhënë mesazhin në mënyrë të qartë.
Ndërkohë juria e përbërë nga figura të rëndësishme të jetës së biznesit e arsimit, pati mundësinë të njihej me 18 ide finale. Pas prezantimit të ideve dhe diskutimit të gjatë mes anëtarëve të jurisë, u shpallën idetë fituese ku ideja që zuri vendin e parë kishte të bënte me krijimin e lojërave fizike për fëmijë duke integruar pjesë robotike në mënyrë që të nxitej programimi dhe kodimi tek fëmijët.
Vendi i dytë u fitua nga një grup të rinjsh nga qyteti i Lezhës të cilët kishin krijuar syze inteligjente që u vijnë në ndihmë personave që nuk shikojnë. Ideja e tyre ishte në fazë zhvillimi të prototipit dhe vendi i dytë i siguroi tre muaj akselerim nga Yunus Social Business.
Vendi i tretë u rendit ideja Neë Life Propositions me të cilën dy djem nga Tirana synojnë të krijojnë një komunitet të moshuarish të cilët jetojnë vetëm duke i bashkuar ata në hapësira ku mund të jetojnë së bashku dhe në këtë mënyrë mund të përfitojnë të ardhura duke lëshuar me qera shtëpitë e tyre.