
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, Maj 2019
June 25, 2019
Tregtia e jashtme 2014-2018
July 16, 2019Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, z. Arben Shkodra, në një intervistë për Monitor tha se administrata është shpërqendruar nga shërbimet, burokracia është shtuar, bankat po pezullojnë planet për kreditimin. Mungesa e produktivitetit të administratës dhe ulja e ritmeve të aktivitetit të biznesit mund të përkthehet në një krizë fiskale, pasojat së cilës do të kenë efekte në periudha afatgjata, pohon Shkodra.
Kriza politike po jep efekte në ekonomi në disa dimensione, të cilat përkthehen në kosto për biznesin. Një prej tyre janë kostot nga mungesa e shërbimeve publike. Në kohë krizash, administrata publike humb fokusin për të ofruar shërbime. Për pasojë, procedurat burokratike shtohen dhe në shumë raste kontratat shtyhen. Kjo sjellje e administratës krijon humbje të shumëfishta, si në arkat biznesit e më pas në arkën publike, pasi prirja për të paguar dhe për të mbledhur taksat zbehet.
Në kohë krizash, edhe administrata publike bëhet joproduktive. Nuk shkohet përpara me projektet zhvillimore dhe përvoja ka treguar se projektet ekonomike me interes për biznesin shtyhen. Mungesa e eficencës në administratë krijon barriera dhe kosto ekstra që në fund të fundit, kurdoherë janë barrë ndaj biznesit.
Dimensioni tjetër është në sektorin monetar. Bankat pezullojnë planet e kreditimit në periudha të tilla. Konsumatorët pezullojnë konsumin e mallrave me vlerë dhe për rrjedhojë, krijohet mungesë qarkullimi që vë në vështirësi biznesin.
A ka skenarë se mund të përballohet me sa më pak humbje kjo situatë?
Po, ka. Bizneset shqiptare kanë lindur dhe janë rritur në hijen e krizave politike. Kjo nuk është një risi për ne. Nisur nga përvoja, bizneset shqiptare, deri në njëfarë mase, janë imune dhe kanë ndërtuar sisteme menaxhimi të posaçme në këto raste. Në periudha krizash politike, ndryshojnë planet e organizimit dhe të menaxhimit. Bizneset priren të shmangin procedurat me administratën publike dhe në vend të tyre, të përdorin mjete më efikase si më të shpejta për të mbaruar punë, duke shfrytëzuar edhe njohjet personale. Gjithashtu, në këto periudha, bizneset rishikojnë projeksionet, duke kryer shpenzime të domosdoshme dhe aplikojnë strategji për të ruajtur të ardhurat, duke mos tentuar zgjerimin e tyre.
A keni një mesazh për politikën?
Kjo nuk është një krizë politike por një krizë e funksionimit të sistemit demokratik në vend. Në 30 vite tranzicion, Shqipëria nuk ia ka dalë të ndërtojë një sistem ku të qeverisin institucionet dhe tani, pas tri dekadash, ne kemi individë mbi institucionet.
Kriza është më e përshkallëzuar këtë herë pasi, sistemi i drejtësisë nuk është funksional, ka krizë parlamentare dhe ekzekutivë. Më e rënda është kriza e besimit. Shqiptarët kanë humbur besimin te sistemi që kemi ndërtuar këto 30 vite. Tashmë besimi ka rënë, edhe për sistemin arsimor në vend, për shëndetësinë dhe te media si pushtet i katërt. Sistemi politik aktual ka dështuar të japë zgjidhje dhe kjo situatë po shpopullon vendin me shpejtësi. Kjo është më rënda që po i ndodh Shqipërisë. Duke gjykuar nga kjo situatë, mendoj se duhet të krijohet një front i ri politik që të kthejë shpresën te njerëzit dhe të instalojë funksionimin e rendit demokratik në vend.