Flet z. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë për revistën Monitor.
Përpara se të paraqes shqetësimet tona si Bashkimi i Prodhuesve, dua të bëj një parantezë: Ekonomia shqiptare “nuk i shpëton” dot dixhitalizimit, pasi është një proces që do të ndodhë shumë shpejt edhe në Bashkimin Europian, në vitin 2021, ku do të fillojë të implementohet teknologjia 5G, e cila është 10-fish më e shpejtë se sistemi aktual.
Interneti do të jetë sërish vektori, por për ne do të ndryshojë mënyra e të bërit biznes, do të ndryshojë qasja ndaj aktorëve të tjerë të ndërmjetëm siç janë: bankat, shoqëritë e sigurimeve, ofruesit e shërbimeve etj. Gjithashtu do të ketë zhvillime të reja në mënyrën e menaxhimit të një biznesi dhe mënyrën e zgjidhjes së problemeve.
Ky revolucion dixhital, që në gjuhën ekonomike quhet “Revolucioni i Katërt Industrial” ose “Industria 4.0”, do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme fizionominë e ekonomisë botërore dhe si pasojë, edhe të ekonomisë shqiptare.
Për t’ju kthyer pyetjes suaj, në lidhje me nismën e fundit të Qeverisë për dixhitalizimin e sistemit fiskal, qasja në këtë moment paraqet disa rreziqe, të cilat janë kthyer në shqetësime për sipërmarrjen. Ky proces përbëhet më së shumti nga tre aktorë:
Aktori i parë është qeveria (shteti), i cili ka për detyrë: së pari – të hartojë strategjinë e inovacionit dhe të krijojë një axhendë dixhitale, së dyti – të investojë fondet publike në ndërtimin e një infrastrukture serioze që mundëson zbatimin e kësaj strategjie dhe axhendë dixhitale dhe, së treti – të edukojë dhe trajnojë administratën publike për t’u qasur sa më mirë dhe denjësisht në këtë proces sfidues.
Menjëherë na vijnë ndër mend disa pyetje: A kemi sot një indeks kombëtar për sa i përket nivelit të futjes së teknologjisë së informacionit? Sa është buxheti i planifikuar për çdo njësi shpenzuese në shtetin shqiptar për dixhitalizimin dhe inovacionin? Cili është pozicionimi në indeksin global për inovacionin? A është e harmonizuar infrastruktura aktuale publike me atë private? Cilat janë kapacitetet aktuale të kësaj infrastrukture? Në ç’nivel është mbulimi me internet në shkallë vendi dhe çfarë cilësie ka ky produkt në Shqipëri? Sa është shkalla e njohurive të administratës sonë publike në lidhje me këtë proces?
Të dytët janë aktorët ndërmjetës, ku përfshihen shoqëritë e telekomunikimit, shoqëritë e IT dhe të ofrimit të shërbimeve që do të integrohen në këtë proces, bankat e nivelit të dytë etj. Në këtë rast, nuk kemi një pamje të qartë nëse këta aktorë janë të përgatitur për një proces të tillë dhe nëse janë gati, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, për t’u përballur me fazën e implementimit. Në dijeninë tonë, për të garantuar një funksionim të përkryer të procesit, këta aktorë duhet të kryejnë një sërë investimesh jo pak të vogla, duke marrë në konsideratë që shpenzimi fillestar për qeverinë shqiptare për ndërtimin e një platforme ka qenë rreth 15 milionë euro.
Aktori i tretë është sipërmarrja shqiptare e cila, së pari, nuk është marrë në konsultim nga shoqëria që ka ndërtuar platformën. Siç e dimë fizionomia e ekonomisë sonë dhe profilet e sipërmarrjeve paraqesin problematikat e veta, bazuar në sektorët ku kryejnë aktivitet. Qasja në ekonominë kombëtare të një sipërmarrje që ka si aktivitet bazë grumbullimin, riciklimin dhe prodhimin, nuk është e njëjtë me një sipërmarrje që importon dhe tregton, ose me një sipërmarrje që ofron shërbime turizmi apo ndërtime. Duke marrë parasysh këtë element duhet pasur kujdes jo vetëm në hartimin e një strategjie apo legjislacioni por, mbi të gjitha, të platformave software të cilat kryejnë më pas në mënyrë automatike jo vetëm monitorimin, por edhe ofrimin e shërbimeve online. Gjithashtu nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për konsultim, pasi në gusht, jo vetëm sipërmarrja por edhe ekspertët konsulentë qe duhet të punojnë, kanë qenë me pushime.
Disa nga shqetësimet e para si sipërmarrje prodhuese:
Ne po shkojmë drejt dixhitalizimit të proceseve që më parë bëheshin fizikisht, por nuk kemi shembuj konkretë, p.sh. si do të funksionojë faturimi nga magazina e një sipërmarrje deri te konsumatori final, duke marrë parasysh të gjithë hallkat e procesit dhe problematikat e tregut.
Si do të funksionojë faturimi elektronik në rastin e importit dhe eksportit. Si do të funksionojë procedura e korrigjimeve dhe stornimeve. Një problem mjaft i madh paraqitet te përcaktimet e gjendjes ditore të arkës, pasi vlerat e propozuara në projektligj nuk përputhen me disa sektorë apo sipërmarrje specifike.
Si do të funksionojë një transaksion në zonat ku dukshëm dhe vazhdueshëm nuk ka mbulim me internet.
Propozimet tona:
Duhet të fillojnë menjëherë informimi dhe komunikimi me sipërmarrjen sipas sektorëve të veçantë, duke organizuar workshop-e. Kjo do të sillte një informacion shtesë jo vetëm për ndërtuesit e platformës por edhe për hartuesit e projektligjit, me qëllim që të bëhen korrigjimet e nevojshme.
Duhet të shtyhet implementimi i këtij sistemi në shkallë kombëtare deri në vitin 2021, duke bërë projekt pilot vetëm për Tiranën, e cila është rreth 1/3 e sipërmarrjes, ku infrastruktura nuk paraqet shumë probleme dhe cilësia e internetit është e kënaqshme. Gjatë këtij viti testimi duhet të mos aplikohen gjoba, por të evidentohen problemet dhe të parashikohen zgjidhjet.
Kostot ekstra me të cilat do të përballet biznesi