Këshilli i Ministrave nëpërmjet disa shtesave dhe ndryshimeve të përcaktuara me Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, ka vendosur që punëdhënësit që nuk aplikojnë për ndihmën financiare të punonjësve të tyre të gjobiten me një shumë prej 50.000 lekë.
Konkretisht akti normativ përcakton që:
“Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë”.
“Subjektet, të cilat i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit nuk gjobiten për mosaplikim për përfitimin e ndihmës financiare.”
Subjektet e gjobitura mund të ushtrojnë të drejtën e ankimit pranë administratës tatimore, duke paraqitur në rrugë elektronike, nëpërmjet portalit e-filing, shkaqet dhe/ose arsyet e mos aplikimit, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e komunikimit të gjobës, sipas Kodit të Procedurave Administrative.